Shqipëria zyrtarizohet si vendi i nderit për Panairin e Turizmit Berlin 2025
2024-03-08 16:22:39

Ministrja Kumbaro (Foto Rtsh)

Ministrja Kumbaro (Foto Rtsh)

Shqipëria është zyrtarisht vendi i nderit i panairit më të madh global të turizmit “ITB-Berlin 2025”. Marrëveshja u nënshkruan nga ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe drejtori ekzekutiv i “Messe Berlin”, Mario Tobias, në kryeqytetin gjerman, përcjell “RTSH”.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nis një program promovimi njëvjeçar që përfundon marsin e ardhshëm, i cili e kthen Shqipërinë në epiqendrën dhe temën e eventit më të rëndësishëm botëror të turizmit dhe turoperatorëve që mbahet çdo vit në Berlin.

Kumbaro u shpreh e lumtur që organizatorët gjermanë ftuan Shqipërinë të ishte vendi i nderit për ITB Berlin.

Mario Tobias, drejtori ekzekutiv i “Messe Berlin” dhe Deborah Rothe, drejtoresha ekzekutive e “ITB Berlin”, vlerësuan paraqitjen e Shqipërisë në panairin e këtij viti me një program të larmishëm.

Në edicionin e këtij viti Shqipëria mori pjesë me një koncept të ri të promovimit, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantuan në mënyrë gjithëpërfshirëse potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit, nën sloganin “Albania All Senses”,.

Gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin, u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje e rëndësishme për Shqipërinë, ajo mes ministres Kumbaro dhe kreut të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, për organizimin e mbledhjes së 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO-së, në Tiranë, më 7-9 prill.

UNWTO-ja e renditi Shqipërinë të parën në Europë për rekuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023. Ndërsa, gjatë dy muajve të parë të vitit, Shqipëria u vizitua nga rreth 1 milion vizitorë të huaj, sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. (Elona)