Qeveria shqiptare financon ndërtimin e 6 qendrave rinore në 6 bashki
2024-03-08 16:03:02

Ministrja Muzhaqi (Foto Atsh)

Ministrja Muzhaqi (Foto Atsh)

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), Geron Ibrahimi, nënshkruan kontratat me bashkitë Fier, Mat, Malësi e Madhe, Librazhd, Sarandë dhe Korçë, si fituese të granteve për infrastrukturë rinore nga thirrja e tretë që po financohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëpërmjet AKR-së, shkruan “ATSH”.

Mbi 100 mijë të rinj që jetojnë në këto bashki do të kenë më shumë hapësira të sigurta, qendra rinore dhe qendra shumëfunksionale krejtësisht të kushtuara për ta.

Ministrja Muzhaqi deklaroi se përmes kësaj nisme mbështeten bashkitë për t’iu ofruar të rinjve hapësira moderne dhe cilësore me qëllim rritjen e hapësirave rinore në mbarë vendin, ku të rinjtë mund të realizojnë aktivitete që rrisin përfshirjen në jetën sociale, por edhe ndikojnë në zhvillimin personal të tyre.

Fokusi i projekteve të bashkive fituese është rikonstruktimi apo ndërtimi i një qendre rinore për qytetin, të konceptuara edhe si hapësira shumëfunksionale, ku të rinjtë angazhohen në trajnime, kurse të ndryshme, teknologji, sipërmarrje, këshillim karriere, debat, lexim, dhe për aktivitete të ndryshme rinore e bashkëbisedime. Në total nga mbështetja me grante për bashkitë e sipërpërmendura pritet që të ndikohen rreth 108.233 të rinj të grupmoshës 15-29 vjeç. (Elona)