BE, 1.5 miliardë euro për të forcuar industrinë e armatimeve
2024-03-07 09:42:24

Flamujt e BE-se (Foto Ukrinform)

Flamujt e BE-se (Foto Ukrinform)

Komisioni Europian njoftoi planin prej 1.5 miliardë euro (1.6 miliardë dollarë) për të forcuar industrinë e armatimeve të Bashkimit Europian, me synimin për të mbrojtur veten dhe për të armatosur Ukrainën.

Plani synon të stimulojë investimet nga shtetet anëtare të BE-së dhe kompanitë e armëve në rritjen e kapacitetit të prodhimit të armëve në Evropë, në mënyrë që materialet të jenë të disponueshme për t’u blerë kur të jetë e nevojshme, shkruan “ATSH”.

Programi, i cili merr formën e një rregulloreje të re të BE-së, synon gjithashtu të nxisë vendet anëtare të blejnë më shumë nga armatimet e tyre nga brenda BE-së. Sipas objektivit, shtetet anëtare të BE-së duhet të blejnë 50% të produkteve të tyre të mbrojtjes nga industria e mbrojtjes së BE-së deri në vitin 2030.

Gjithashtu, vendet e BE-së duhet të blejnë 40% të pajisjeve të tyre të mbrojtjes së bashku deri në vitin 2030.

Fondi prej 1.5 miliardë eurosh do të sigurohet nga buxheti ekzistues i quajtur Fondi Europian i Mbrojtjes (EDF), i cili tashmë përdoret për të mbështetur kërkimin, zhvillimin dhe prokurimin e përbashkët të armatimeve.

Programi i ri Europian i Industrisë së Mbrojtjes (EDIP) do të fokusohet më shumë në prodhimin dhe prokurimin në fazat e vona dhe më pak në kërkimin në fazën e hershme të financuar nga EDF-ja.

Skema nuk përfshin planin për të shpenzuar të ardhurat e aseteve të ngrira ruse për të siguruar armë për Ukrainën, por ajo e lë të hapur mundësinë për financime shtesë që vijnë pak a shumë nga kudo. (Irma)