Ministri Manja: Reformat strukturore në fushat me risk të lartë korrupsioni duhet të jenë radikale
2024-03-07 12:14:16

Ministri Manja (Foto Atsh)

Ministri Manja (Foto Atsh)

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, zhvilloi një takim me drejtorin ekzekutiv të “Transparency International”, në Berlin, Daniel Eriksson, ku ndanë qëndrimin e përbashkët se fokusi i luftës kundër korrupsionit duhet të jetë parandalimi dhe se transparenca në vendimmarrje dhe reformat strukturore në fushat me risk të lartë korrupsioni duhet të jenë radikale, shkruan “ATSH”.

“Vullneti politik, lidershipi me bazë integritetin e zyrtarëve publikë, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe përdorimi i inteligjencës në fushën e prokurimeve, janë rruga e duhur për të pasur një shoqëri imune ndaj korrupsionit. Ato dëshmojnë qartësisht vizionin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të adresuar si duhet sfidat e luftës kundër korrupsionit”,- shkroi ministri Manja në një postim në rrjetet sociale.

Manja theksoi se, Eriksson shtroi nevojën për të pasur sa më shumë burime dhe indekse për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, me qëllim që indeksi i “TI” të jetë sa më objektiv dhe t’i shërbejë institucioneve publike për të përmirësuar performancën dhe transparencën e veprimtarisë së tyre.

Manja e garantoi Eriksson se, raporti i “Transparency International” mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri përkthehet në dokument pune për çdo institucion vendor.

Manja dhe Eriksson ranë dakord për të punuar ngushtësisht me “Transparency International”, për të shkëmbyer përvojat e mira dhe për të marrë ekspertizën e duhur në luftën kundër korrupsionit. (Irma)