Shqipëria do të presë mbledhjen e Komisionit për Europën të OBT-së
2024-03-07 12:31:52

Ministrja Kumbaro (Foto Atsh)

Ministrja Kumbaro (Foto Atsh)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në Panairin më të madh në botë të Turizmit, “ITB Berlin”, për të përfaqësuar Shqipërinë turistike me një sinergji të shkëlqyer së bashku me 7 bashki dhe 26 turoperatorë.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Kumbaro dhe sekretari i përgjithshëm i UNWTO-së, Zurab Pololikashvili, nënshkruan marrëveshjen që e bën Shqipërinë vendin pritës të Mbledhjes së Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, raporton “ATSH”.

Kumbaro nënvizoi se kjo është një ngjarje që e kthen Tiranën sërish në një pol të eventeve ndërkombëtare.

Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria është bërë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, “ITB Berlin”, i zhvilluar nga 5 deri më 7 mars në Gjermani.

Në këtë panair, Shqipëria prezantohet me një hapësirë të kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike, përkatësisht Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë, që prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.

“ITB Berlin” operon suksesshëm që prej vitit 1966, duke qenë panairi më i madh i turizmit në botë. (Irma)