Kina nxit bashkësinë ndërkombëtare të ruajë kontaktet me talibanët afganë
2024-03-07 18:13:29

Foto nga VCG

Një i dërguar kinez i bëri thirrje të mërkurën bashkësisë ndërkombëtare të ruajë kontaktet me talibanët afganë. 

Që nga ardhja në fuqi e talibanëve në gusht 2021, gjendja në Afganistan ka qenë përgjithësisht e qëndrueshme, me përmirësime në ekonomi e në jetesën e njerëzve dhe zgjerimin e bashkëpunimit rajonal. Këto zhvillime pozitive duhet të pranohen. Në të njëjtën kohë, Afganistani ndeshet ende me sfida të rënda lidhur me gjendjen humanitare, zhvillimin ekonomik dhe kërcënimet e terrorizmit, tha Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara. 

Këshilli i Sigurimit duhet të ketë një njohje më tërësore dhe objektive të gjendjes në Afganistan dhe të planifikojë një zgjidhje në mënyrë më racionale e pragmatike, duke luajtur një rol pozitiv e konstruktiv në zhvillimin e qëndrueshëm të Afganistanit dhe në integrimin e tij në bashkësinë ndërkombëtare, tha ai në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit.

"Bashkësia ndërkombëtare duhet, nëpërmjet komunikimit të durueshëm me autoritetet afgane, të shtojë gradualisht njohjen dhe besimin e tyre ndaj botës së jashtme dhe të marrë nisma më efektive në përgjigje të pritshmërive ndërkombëtare. Është e rëndësishme të krijohen kushte të favorshme për dialogun e kontaktet dhe të shmangen paragjykimet dhe programet e imponuara ndaj Afganistanit," theksoi Geng.  

Si një hap i rëndësishëm për krijimin e besimit, Këshilli i Sigurimit duhet të bëjë ndryshimet e duhura sa u përket sanksioneve e të heqë ndalimin e udhëtimit për autoritetet përkatëse afgane. Sanksionet e paligjshme e të njëanshme ndaj Afganistanit nga vendet përkatëse duhet të përfundojnë dhe pasuritë afgane të konfiskuara jashtë vendit duhet të kthehen menjëherë, tha ai. 

Gjithashtu është e rëndësishme mbështetja ndaj autoriteteve afgane në luftën kundër terrorizmit, shtoi Geng.