Kryebashkiaku Veliaj prezanton projektin për transportin e gjelbër në Tiranë
2024-03-07 09:24:57

Kryebashkiaku Veliaj (Foto Rtsh)

Kryebashkiaku Veliaj (Foto Rtsh)

U prezantua në kryeqytetin shqiptar projekti “Transporti i Gjelbër në Tiranë”, për zhvillimin, zbatimin dhe vënien në funksionim të sistemit të parë të transportit të shpejtë me autobusë elektrikë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se ky është granti më i madh që ka marrë Bashkia e Tiranës nga BE-ja në historinë e vetë që nga viti 1920.

Për realizimin e projektit, BE-ja ka dhënë 30 milionë euro grante, 50 milionë kredi nga KFV-ja dhe 30 do të vihen në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, shkruan “RTSH”.

“Kemi kthyer një ëndërr në një projekt që ka një buxhet. Është granti më i madh që ka marrë bashkia e Tiranës në historinë e vetë që nga viti 1920. Është domethënëse jo vetëm nga vlera e grantit por nga fakti që kemi një institucion që prodhon besim, që ka ditur të administrojë financat e projekteve më të vogla të BE-së  edhe sot është i denjë që mund të procesojë e përballojë dhe mirëadministrojë një grant kaq të madh nga BE-ja”, tha Veliaj, duke theksuar se një pjesë e fondeve do të shkojnë për infrastrukturë.

Të pranishëm në prezantimin e projektit ishin edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, dhe ambasadori gjerman, Karl Bergner. (Irma)