Kaos në Haiti, bandat kërcënojnë me luftë civile
2024-03-07 12:42:07

Haiti (Foto Panorama)

Haiti (Foto Panorama)

Haiti është zhytur në kaos nga përshkallëzimi i dhunës, me bandat që kërcënojnë me luftë civile, gjenocid dhe ferr për të gjithë në vend, shkruan “BBC” citon “Panorama”.

Ushtarët janë vendosur për të mbrojtur aeroportin e kryeqytetit Port-au-Prince nga sulmet e bandave. Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar pranë aeroportit “Toussaint Louverture”, ndërsa Forcat e Sigurisë u përleshën me persona të armatosur.

Bandat synojnë të parandalojnë kthimin e kryeministrit “de facto” Ariel Henri, i cili është larguar prej ditësh, pasi dhuna në vend është përshkallëzuar në mënyrë dramatike që nga java e kaluar.

Departamenti i Shtetit raportoi të hënën se Henri po kthehej nga Kenia, por, sipas informacioneve të medias së Haitit, ai nuk mundi të mbërrinte në Port-au-Prince për shkak të problemeve të sigurisë në aeroportin e kryeqytetit. Henri zbarkoi në Porto Rico, njoftoi zëdhënësja e guvernatorit të këtij territori amerikan në Karaibe, duke sqaruar se nuk e di nëse ai është ende në ishull.

Haiti mbetet i zhytur në një krizë serioze politike, humanitare dhe të sigurisë, e përkeqësuar nga vrasja e presidentit Jovenel Moise në vitin 2021. Sipas OKB-së, më shumë se 8400 njerëz u bënë viktima të bandave vitin e kaluar, duke përfshirë vrasjet, plagosjet dhe rrëmbimet. Viktimat u rritën me 122% krahasuar me vitin 2022. (Irma)