“Tirana Tech Meetup” nxit bashkëpunimin në komunitetin e teknologjisë
2024-03-07 15:07:34

Tirana Tech Meetup (Foto Atsh)

Tirana Tech Meetup (Foto Atsh)

Nën organizimin e agjencisë “Startup Albania”, “Tirana Tech Meetup” do të jetë pikëtakimi më i ri për të gjithë entuziastët dhe të pasionuarit e teknologjisë, ekspertët dhe inovatorët, të cilët synojnë të forcojë lidhjet dhe të shkëmbejnë njohuri brenda komunitetit të teknologjisë së informacionit në kryeqytet shqiptar, shkruan “ATSH”.

Ky event, i cili do të mbahet të enjten e parë të çdo muaji, do të sjellë së bashku entuziastët, ekspertët dhe inovatorët e fushës së teknologjisë së informacionit për të ndarë ide dhe përvoja të reja.

Me fokus në eksplorimin e trendeve më të fundit në teknologji, si dhe në shkëmbimin e njohurive dhe rrjetëzimin me profesionistë të tjerë të IT-së, kjo është një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar njohuritë dhe për të përfshirë në projekte të reja dhe sfida në fushën e teknologjisë.

“Tirana Tech Meetup” është një mundësi për të zhvilluar potencialin e teknologjisë. Për të rinjtë dhe të rejat që po fillojnë karrierën e tyre në fushën e teknologjisë së informacionit, kjo është një mundësi e pazëvendësueshme për të rritur aftësitë e tyre në këtë fushë. (Irma)