BE-ja zgjat masat për të reduktuar vullnetarisht konsumin e gazit
2024-03-06 14:40:32

Flamuri i BE-se (Foto ATSH)

Flamuri i BE-se (Foto ATSH)

Ministrat e Energjisë të BE-së ranë dakord për zgjatjen e masave për të reduktuar vullnetarisht konsumin e gazit me një objektiv prej 15% në të gjithë Bashkimin Europian deri në mars 2025.

“Blloku ka bërë një rrugë të gjatë që nga viti 2022, kur kriza energjetike ishte më e tmerrshme”,- tha ministri belg i Energjisë, Tinne van der Straeten, në një deklaratë, citon “ATSH”.

Vendet e BE-së fillimisht u zotuan në vitin 2022 për të ulur konsumin e tyre me të paktën 15%, krahasuar me mesataren e pesë viteve të fundit, për të siguruar furnizimet me energji gjatë dimrit pasi Rusia reduktoi në mënyrë drastike eksportet në bllok.

Ky objektiv i kursimeve u tejkalua, me kërkesë të reduktuar me mbi 19% mesatarisht në të gjithë BE-në. Një tjetër zgjatje pasoi në mars 2023, që do të përfundonte në fund të këtij muaji.

Marrëveshja origjinale përmbante gjithashtu një dispozitë, nëse ndodh një krizë e sigurisë së furnizimit, për ta bërë të detyrueshëm objektivin e reduktimit vullnetar të konsumit.

“Masat në lidhje me furnizimin me energji duhet të lëvizin në baza vullnetare pasi situata e furnizimit në BE është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2022”, - thuhet në një deklaratë nga Këshilli i BE-së. Miratimi zyrtar do të paraqitet në mars.

Çmimet e gazit natyror u rritën në mënyrë dramatike në vitin 2022 për shkak të konfliktit ruso-ukrainas. Në kulmin e tyre, çmimet e shitjes me shumicë ishin më shumë se 300 euro (325 dollarë).

Çmimet ranë ndjeshëm pasi mungesat e gazit mund të shmangeshin falë zëvendësimit të karburanteve ruse me importe nga vendet e tjera dhe uljes së kërkesës. (Elona)