Ministrja Balluku: Instalimi i paneleve fotovoltaike mbulon 40% të nevojës vjetore për energji
2024-03-06 14:38:14

Minsitrja Balluku (Foto ATSH)

Minsitrja Balluku (Foto ATSH)

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Berat, ku ka përfunduar instalimi i paneleve fotovoltaike, që bën të mundur mbulimin e rreth 40% të nevojës vjetore për energji elektrike në këtë drejtori.

Ajo deklaroi se programi i instalimit të paneleve diellore do të shtrihet edhe në Tiranë dhe Durrës, shkruan “ATSH”.

“DPSHTRR ka nisur një program i cili nis nga Berati, por do të zhvillohet edhe në Tiranë dhe Durrës për vendosjen e paneleve fotovoltaike të cilat përdoren për konsumin e vetë ndërmarrjes. Republika e Shqipërisë ka prej kohësh një kuadër ligjor i cili lejon të gjitha ato entitete, qofshin shtetërore apo private, që të ndërtojnë parqet e tyre fotovoltaike, brenda territoreve ku ata operojnë dhe këto të shërbejnë për të plotësuar nevojat. Sigurisht një park fotovoltaik nuk plotëson 100% të nevojave, duke qenë se prodhon vetëm gjatës kohës kur ka diell, por nga ana tjetër ka dhe një instrument shumë të mirë që është ai i shkëmbimit të energjisë me OSHEE”,- deklaroi ministrja Balluku.

Kreu i DPSHTRR-së Berat, Ilir Mëngra, deklaroi se projekti është parashikuar që t’i shlyejë kostot e veta brenda një periudhe kohore 6-vjeçare.

“Janë montuar 206 panele fotovoltaike të cilat të gjitha së bashku realizojnë shkëmbimin e energjisë diellore në energji elektrike. Panelet lidhen me një inverter i cili bën shkëmbimin nga energji e prodhuar nga panelet në energji alternative për nevojat e rrjetit”,- tha Mëngra. (Elona)