Rusia akuzon Perëndimin për ndërhyrje dhe kërcënon me dëbimin e gazetarëve gjermanë
2024-03-06 18:00:17

Maria Zakharova (Foto Andolu)

Maria Zakharova (Foto Andolu)

Rusia ka akuzuar ambasadorët perëndimorë se po ndërhyjnë në punët e saj të brendshme dhe ka paralajmëruar se do të dëbojë gazetarët gjermanë nga vendi nëse Berlini zyrtar vendos të dëbojë gazetarët rusë.

Rusia dhe Gjermania kanë pasur tensione së fundi, pas publikimit të një incizimi zanor, ku supozohet që zyrtarë të ushtrisë gjermane po diskutonin për armatimin e Ukrainës dhe sulmin e objektivave të mundshëm rusë, shkruan “RTSH”.

Rusia ka thirrur ambasadorin e Gjermanisë në Moskë për të shpjeguar përmbajtjen e incizimit. Berlini zyrtar ka mohuar thirrjen e diplomatit të vet, duke thënë se takimi ishte i planifikuar paraprakisht.

CFP

ambasadorin e Gjermanisë/CFP

“Vendet perëndimore dhe ambasadorët e tyre janë të angazhuar, së pari, në ndërhyrjen në punët e brendshme të Rusisë”,- deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, raporton “RIA Novosti”.

Komentet e saj erdhën pasi ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha të hënën se ambasadorët e BE-së kishin refuzuar ta takonin përpara zgjedhjeve presidenciale në Rusi më 15-17 mars.

Zakharova theksoi dhe se Rusia do të dëbojë gazetarët gjermanë që punojnë në vend nëse Berlini zyrtar vendos të prekë gazetarët rusë. Ajo pretendon se Gjermania do t'i dëbojë gazetarët rusë, duke mos iu rinovuar vizat dhe akreditimin për të punuar në vend. (Elona)