Kryebashkiaku i Tiranës: Fondi i Komunitetit ndihmon në rritjen e vlerës së pronës përmes rregullimit të pallateve
2024-03-06 16:41:52

Pallat (Foto RTSH)

Pallat (Foto RTSH)

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë për të përfituar nga mbështetja financiare në kuadër të Fondit të Komunitetit, i cili, sipas tij, po ndihmon në rritjen e vlerës së pronës përmes rregullimit të pallateve, bën të ditur “RTSH”.

“Punojmë bashkë për një qytet më të bukur dhe funksional. Me projekte fituese dhe thirrjen e re për aplikime, Fondi i Komunitetit po ndihmon në rritjen e vlerës së pronës përmes rregullimit të pallateve. Me financim 50% nga Bashkia e Tiranës dhe kontributin e banorëve, po ndërtojmë një ambient më të përshtatshëm për të gjithë. Aplikoni tani në “Tirana.al” për të bërë ndryshimin në komunitetin tuaj”,- thekson Veliaj.

Sipas tij, banorët që jetojnë në pallate të ndërtuara para viteve ‘90, por jo vetëm, përmes Fondit të Komunitetit mund të përfitojnë projekte për rregullimin e fasadës, termo-izolimit, por edhe për instalimin e ashensorëve.

Për projektet që miratohen, gjysmën e shpenzimeve e paguajnë banorët ndërsa gjysmën tjetër bashkia e Tiranës.

Administratorët e pallateve, të zgjedhur nga asambleja e banorëve dhe të certifikuar nga bashkia, janë ata që kryejnë procedurat, që nga rënia dakord nga të paktën 75% e banorëve.

Bashkia ka ndryshuar udhëzimin, çka mundëson trajtim të veçantë për disa kategori. Personat që janë pensionistë, personat me aftësi të kufizuar apo me ndihmë ekonomike përfitojnë 100 për qind të grantit. Kjo ka bërë të mundur edhe rritjen e numrit të aplikimeve. Fondi i Komunitetit ka nisur të aplikohet që prej 2017-s. (Elona)