Dhuna në familje, 218 kërkesa për urdhër mbrojtjeje gjatë një viti në Korçë
2024-03-06 14:26:42

Gjykata për dhunën (Foto Monitor)

Gjykata për dhunën (Foto Monitor)

Dhuna në familje është një fenomen shqetësues në rajonin e Korçës, ku viktima janë kryesisht femrat, që i drejtohen  policisë dhe gjykatës për të marrë mbrojtje.

“Gjatë vitit 2023, pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë janë depozituar 218 kërkesa për urdhra mbrojtjeje, 105 kërkesa janë pranuar nga gjykata, 21 kërkesa janë rrëzuar dhe ajo që bie në sy është numri i lartë i rasteve në të cilat çështja është pushuar, konkretisht 92 raste”, sipas “RTSH”-së.

Arsyet e pushimit të çështjes për urdhër mbrojtjeje, sipas burimeve zyrtare nga gjykata, lidhen me mosparaqitjen e palës paditëse, por edhe me faktin se pala paditëse ose kërkuese paraqet kërkesë për heqje dorë nga gjykimi i urdhrit.

Sipas të njëjtave burime, pjesa më e madhe e kërkesave për urdhër mbrojtjeje vijnë nga zonat rurale, me 131 të tilla, ndërsa 87 janë kërkesa të viktimave të dhunës që banojnë në qytet.

Bëhet fjalë kryesisht për gra të martuara dhe me një, dy apo tre fëmijë, të të gjitha niveleve arsimore, por mbizotërojnë ato me arsim nëntëvjeçar.

Viktimat e dhunës në familje, të cilat kanë depozituar kërkesa për urdhër mbrojtje pranë gjykatës, janë më së shumti të vetëpunësuara ose të punësuara në sektorin privat, ndërsa një pjesë më e vogël e tyre janë të papuna.

Arsyet e dhënies së urdhrave të mbrojtjes lidhen me faktin se dhunuesi ka kërcënuar viktimën se do të kryejë vepra të dhunës në familje apo ka tentuar të ngacmojë a të kontaktojë me viktimën kur i është ndaluar një gjë e tillë.

Përveç rasteve të grave të dhunuara gjatë vitit të kaluar në Korçë janë evidentuar edhe raste të dhunimit të fëmijëve apo të moshuarve.  (Elona)