Ministri Balla: Policia po ecën në rrugën e konsolidimit si institucioni më i besuar në vend
2024-03-06 14:22:17

Ministri Balla (Foto RTSH)

Ministri Balla (Foto RTSH)

Rezultatet në luftën ndaj kriminalitetit janë përmirësuar muajt e fundit, çka sipas ministrit të Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, është tregues se Policia e Shtetit po ecën në rrugën e konsolidimit si institucioni më i besuar në vend.

Në konferencën ndërkombëtare për Forcimin e Llogaridhënies - Fuqizimin e Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, zhvilluar në Tiranë, ministri Balla solli në vëmendje operacionet kombëtare “Tempulli” dhe “Tempulli 2”, ku janë goditur 37 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 984 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Ndërsa gjatë operacionit kombëtar “Sundimi i ligjit” janë vënë para drejtësisë 840 shtetas, bën të ditur “ATSH”.

“Anketimet sociologjike më të fundit tregojnë një mbështetje prej rreth 70% të qytetarëve për policinë dhe operacionet e mëdha policore të muajve të fundit. Këto rezultate pozitive gjejnë reflektim edhe në indeksin më të fundit, të vitit 2023, të publikuar nga Iniciativa Globale, sipas të cilit Shqipëria ka shënuar progresin më të madh nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ulur nivelin e kriminalitetit me 0.46 pikë”,- tha Balla. Rezultatet, tha ai, janë meritë e përkushtimit dhe sakrificës së mijëra punonjësve të policisë.

“Detyra jonë është të ruajmë këtë besim të publikut dhe të nxisim edhe më tej motivimin e atyre punonjësve të ndershëm e të dedikuar që shohin të ardhmen e tyre me uniformën e policisë. Duhet të krijojmë kushtet që këta të rinj e të reja të bëjnë karrierë në radhët e Policisë së Shtetit, mbi bazën e meritave, dhe mos të largohen nga organizata apo nga Shqipëria për shkak të kushteve ekonomike”,- theksoi kreu i Ministrisë së Brendshme. 

Ndër të tjera, ministri Balla shtoi se janë duke u aplikuar disa programe për mbështetjen e policisë, nisur me angazhimin për rritjen e pagave duke filluar nga muaji korrik, zbatimin e programeve për strehim për familjet e reja, si dhe garantimin e trajnimeve cilësore të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit. (Elona)