Raporti i KLSH-së: Institucionet e kujdesit ndaj të moshuarve s’kanë staf të mjaftueshëm dhe kushte optimale
2024-03-06 17:03:52

Te moshuarit (Foto Panorama)

Te moshuarit (Foto Panorama)

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas auditimit në shtëpitë e të moshuarve apo institucionet rezidenciale për të moshuarit, dilet në përfundimin se ato nuk kanë staf të mjaftueshëm që të kujdeset për këtë kategori. Ndërsa standardi është që çdo kujdestar të ketë jo më shumë se 5 të moshuar kjo është vështirë të arrihet në kushtet aktuale, shkruan “Panorama”.

Sipas të dhënave numri i të moshuarve në këto institucione është mes 40 deri në 65 persona dhe vështirësia më e madhe ka të bëjë me faktin që një pjesë e tyre janë të sëmurë kronikë.

“Numri i punonjësve që ofrojnë shërbime shoqërore në të gjithë qendrat është i pamjaftueshëm, edhe për faktin se nëpër këto qendra ka shumë të moshuar të sëmurë kronik dhe të paaftë për t’u kujdesur për veten. Një nga vështirësitë e punës për personelin janë mungesa e hapësirave dhe aksesit për të kryer shërbimin sipas standardeve, përfshirë dhe mungesa e një ashensori në qendrat e Tiranës, Gjirokastrës, Kavajës, Fierit si dhe tualetet e përbashkëta në të gjitha qendrat të cilat vështirësojnë punën për t’u shërbyer të moshuarve paraplegjik apo tetraplegjik. Ndaj, për rritjen e cilësisë së shërbimeve sociale për personat e moshuar, nevojitet shtimi i numrit të tyre”,- thuhet në raport.

Një tjetër element që vihet re nga auditimi është mungesa e psikologëve apo punonjësve socialë. Nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), sipas raportit, është kërkuar që të hartohet një metodologji që bën të mundur monitorimin e këtyre institucioneve rezidencialë që deri më tani nuk ka qenë i vazhdueshëm dhe nuk jep një panoramë të qartë mbi gjendjen.

Në këto qendra kërkohet që edhe infrastruktura që ofrohet të jetë e përshtatshme dhe e përafërt me shtëpinë, por nga konstatimet e auditimit kjo infrastrukturë në disa raste shfaqet shumë e dobët. (Elona)