INSTAT: Numri i meshkujve po bie me ritme dy herë më të larta se i femrave
2024-03-06 17:42:08

Popullsia (Foto Panorama)

Popullsia (Foto Panorama)

Popullsia e Shqipërisë ka nisur të përshpejtojë ritmet e rënies vitet e fundit, por meshkujt po pakësohen me ritme më të larta se femrat referojnë të dhënat e krahasueshme të viteve të fundit nga INSTAT.

Më 1 janar 2023, në të gjithë Shqipërinë zyrtarisht ishin 71.6 mijë meshkuj më pak se në vitin 2018 me rënie 5%, shkruan “Panorama”. Në të njëjtën periudhë kishte 36.8 mijë femra më pak, me rënie 2.6%.

Shqipëria ka raport gjinor në lindje që favorizon meshkujt. Mesatarisht në një vit lindin 105 djem për 100 vajza, por emigracioni më i lartë te meshkujt dhe jetëgjatësia më e ulët se e femrave po i pakëson burrat, referojnë të dhënat.

Sipas qarqeve, rënien më të madhe të popullsisë së meshkujve nga 2018-a në 2022-shin e kishte qarku i Gjirokastrës me 18%, nga 5% që është mesatarja kombëtare, ndërsa i dyti renditet Berati me rënie 15%.

Rënie dyshifrore të popullatës së meshkujve kishte edhe Dibra me 12%, Elbasani me 11%, Fieri me 10%, Korça me 12%, teksa vetëm Tirana shënoi rritje të numrit të meshkujve me 4% gjatë periudhës 2018-2023.

Në anën tjetër, popullata e femrave shënoi rënie të fortë në qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Dibrës, përkatësisht me 12%, 10% dhe 11%.

Në qarqe, popullata e meshkujve është në rënie më të fortë për shkak të emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe jetëgjatësisë më të ulët se në Tiranë. (Elona)