Ministrja Denaj në Malin e Zi: Njohje e ndërsjellë e certifikatave fitosanitare dhe veterinare
2024-03-06 17:45:07

Anila Denaj dhe Vladimir Joković (Foto ATSH)

Anila Denaj dhe Vladimir Joković (Foto ATSH)

Shqipëria dhe Mali i Zi po punojnë për zgjerimin e urave të bashkëpunimit edhe në fushën e bujqësisë. Një delegacion i kryesuar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Podgoricë, ku u takua me ministrin e Bujqësisë, Vladimir Joković.

“Me homologun, Vladimir Jokoviç, folëm për rritjen e pjesëmarrjes në panairet respektive të bujqësisë dhe organizimin e forumeve të biznesit, si një mundësi për krijimin e partneriteteve të reja mes bizneseve shqiptare dhe atyre malazeze”,- u shpreh ministrja Denaj në një postim në rrjetet sociale, citon “ATSH”.

Ministrja bëri të ditur se do të lehtësohen procedurat e kontrolleve në kufi dhe do të ketë njohje të ndërsjellë të certifikatave fitosanitare dhe veterinare, për të shpejtuar lëvizjen e mallrave dhe rritur eksportet “Made in Albania” drejt Malit të Zi.

Ministrja Denaj po ashtu tha se gjatë takimit u trajtua edhe çështja e menaxhimit të peshkimit në liqenin e Shkodrës.

“Morëm angazhimin për më shumë bashkëpunim mes grupeve teknike dhe të pushtetit vendor, për ndalimin e peshkimit të paligjshëm”,- shkroi Denaj. (Elona)