Zviceranët votuan për një muaj pension shtesë dhe kundër ngritjes së moshës së pensionit
2024-03-05 10:39:06

Zvicra (Foto Rtsh)

Zvicra (Foto Rtsh)

Votuesit në Zvicër votuan pro për një muaj pension shtesë çdo vit, në referendumin e zhvilluar mbi standardet e jetesës për të moshuarit, njofton “RTSH”.

Pothuajse 60% e votuesve thanë po në referendum. Gjithashtu, 75% e votuesve refuzuan ngritjen e moshës së pensionit nga 65 në 66 vjeç.

Propozimi për të rritur pensionet erdhi nga sindikatat. Ai është kundërshtuar nga qeveria zvicerane, Parlamenti dhe drejtuesit e biznesit, të cilët deklarojnë se është i papërballueshëm.

Pensioni maksimal mujor në Zvicër është 2550 euro, por, sipas zviceranëve kjo shumë nuk mjafton për të jetuar në ditët e sotme. Kostoja e jetesës në Zvicër, veçanërisht në qytete si Zyrihu dhe Gjeneva, është ndër më të lartat në botë.

Primet e sigurimit shëndetësor, të cilat janë të detyrueshme për të gjithë, janë rritur dhe të moshuarit ndonjëherë kanë vështirësi për t'i paguar.

Rezultati u cilësua si fitore historike për pensionistët nga “Avivo”, një shoqatë zvicerane që mbron të drejtat e pensionistëve.

Me ndryshimin e fundit pensioni shtetëror përputhet me sistemin e pagave të Zvicrës, i cili gjithashtu paguhet në 13 këste, pra punonjësit marrin një pagesë të dyfishtë në nëntor.

Sistemi fillimisht u ideua për të ndihmuar njerëzit përpara krishtlindjes dhe për faturën vjetore të taksave. (Fatosi)