Marrëveshja me Britaninë, transferohet i burgosuri i parë shqiptar
2024-03-05 14:19:10

Burg (Foto Joq-albania)

Burg (Foto Joq-albania)

Klodjan Çopja, i akuzuar për trafik droge në Britaninë e Madhe, është i burgosuri i parë që transferohet në Shqipëri për të kryer pjesën e mbetur të dënimit prej 17 vitesh burg, njofton “RTSH”.

Ky transferim bëhet falë marrëveshjes për transferimin e të burgosurve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe vitin e kaluar.

Çopja u arrestua në vitin 2017, pas një aksioni policor që goditi rrjetin e trafikantëve të kokainës me vlerë 150 milionë paundë, i cili furnizonte Londrën dhe zonën lindore të Britanisë. Ai ndenji katër vite në arrati përpara se të kapej në kufirin mes Greqisë e Shqipërisë me pasaportë false dhe u ekstradua në Britani.

12 të dënuar për vepra të ndryshme pritet të transferohen po ashtu drejt Shqipërisë për ta vijuar në vendlindje pjesën e mbetur të burgimit.

Një nga qëllimet e shpallura prej qeverisë britanike përmes marrëveshjes me Shqipërinë është të kursejë dëmin financiar mbi taksapaguesit e Britanisë. Llogaritet se një i dënuar i kushton sistemit britanik të burgjeve 109 paund në ditë, ndërsa kostoja në Shqipërisë përllogaritet në 32 paund në ditë.  (Fatosi)