Rita Petro me “Lindur së prapthi” propozohet për Çmimin Europian të Letërsisë
2024-03-05 17:02:54

Rita Petro (Foto Gazetatema)

Rita Petro (Foto Gazetatema)

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka propozuar për Çmimin Europian të Letërsisë autoren Rita Petro me romanin “Lindur së prapthi”, shkruan “ATSH”.

“13 shtete kanë propozuar nga një shkrimtar që do të jetë në garë për Çmimin Europian të Letërsisë. Vlerësimin e bën një juri ndërkombëtare dhe fituesi shpallet në Panairin e Librit në Bruksel më 4 prill”,-, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Çmimi i Bashkimit Europian për Letërsi ka për qëllim të vendosë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane në fushën e letërsisë artistike, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Europës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare ndërkombëtare.

Proza e Rita Petros në romanin “Lindur së prapthi” jep një përshkrim të mjedisit shqiptar nga këndvështrimi i një vajze të vogël e më pas i një gruaje të rritur, e cila do të përballet me të gjitha paragjykimet e kohës. (Fatosi)