BE shtyn afatin për hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS
2024-03-04 12:23:57

Etias (Foto Rtsh)

Etias (Foto Rtsh)

Bashkimi Europian ka shpallur një kufi tjetër kohor për hyrjen në fuqi të sistemit të ashtuquajtur ETIAS, që autorizon kalimin për shtetas të përjashtuar nga marrja e vizës drejt BE-së, njofton “RTSH”.

Mesi i vitit 2025 është publikuar si afati për fillimin e aplikimit të këtij rregulli i cili prek rreth 1.4 miliardë njerëz nga mbi 60 vende të përjashtuara nga viza.

Kjo do të thotë që përpara se të udhëtojnë drejt BE-së këtyre qytetarëve do t’u kërkohet të kenë një autorizim udhëtimi për hapësirën e 30 vendeve evropiane për një qëndrim të shkurtër.

Nga pikëpamja logjistike kjo do të realizohet me futjen në funksionim të një sistemi elektronik të autorizimit të udhëtimit për vetëm një herë kur ata të vazhdojnë të udhëtojnë pas majit të 2025-s.

Kjo presupozon kontrolle shtesë të sigurisë përpara se të lejohen të hyjnë në BE.

Afati i hyrjes në fuqi të këtij sistemi është shtyrë disa herë që nga viti 2016 kur u propozua për herë të parë nga Komisioni Europian. (Fatosi)