Shqipëria, vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të aplikojë për në SEPA
2024-03-04 14:41:04

Shqipëria do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të aplikojë për t’u bërë pjesë e Sistemit Europian të Pagesave (SEPA). Kjo vjen falë harmonizimit të plotë të kuadrit rregullator nga Banka e Shqipërisë, siç është evidentuar edhe nga një raport i Bankës Botërore, ku cilësohet se vendi ka plotësuar nëntë kriteret e nevojshme, njofton “ATSH”.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, deklaroi se përfitimet e të qenit pjesë e këtij sistemi janë të shumta për individët, bizneset, por dhe turizmin.

Guvernatori Sejko (Foto ATSh)

Guvernatori Sejko (Foto ATSh)

Sipas Bankës së Shqipërisë, ngritja e sistemit ndërbankar në vend për transfertat në euro nga 2022-shi i kurseu qytetarëve 47 milionë euro. Me integrimin në Zonën Evropiane të Pagesave, kursimet do të rriten në disa herë.

“Besoj se vitin e parë ne mund të kemi rreth 20 milionë euro kursime nga komisione duke përfshirë individët dhe bizneset”,- deklaroi guvernatori Sejko.

Sistemi do të nxisë konkurrencën mes institucioneve bankare dhe jo-banka, duke ulur kostot dhe rritur cilësinë e shërbimit për përdoruesit përfundimtar. (Fatosi)