Ministrja Koçiu: Specializimet për mjekë familje dhe urgjence, pa testim
2024-03-03 11:32:28

Ministrja Kociu (Foto Rtsh)

Ministrja Kociu (Foto Rtsh)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur se ministria, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë, kanë vendosur që këtë vit specializimet afatgjata, të ciklit të tretë, për mjekë familjeje dhe mjekë urgjence do të jenë pa testim.

Gjatë një vizite në Pogradec, ministrja Koçiu theksoi se vlerësimi dhe renditja do të bëhet bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare, duke përfshirë edhe diplomimin, përcjell “RTSH”.

Ministrja Koçiu zhvilloi një bashkëbisedim me mjekë dhe infermierë të shërbimit të kujdesit parësor dhe spitalor në Pogradec, të cilët janë punësuar nëpërmjet dy portaleve, “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

Ata ndanë eksperiencat e tyre të rekrutimit në struktura shëndetësore të cilët vlerësuan se transparenca dhe korrektësia ka lehtësuar  punën dhe rezultatet e provimit nëpërmjet aplikimit nga të dy portalet.

Në rrethin e Pogradecit janë punësuar 10 mjekë dhe 130 infermierë që nga viti 2018 nëpërmjet dy portaleve, të cilët kanë ofruar transparencë, profesionalizëm dhe meritokraci. (Irma)