Komisioni Europian zhbllokoi ndihmën prej 50 milionë eurosh për UNRWA-në
2024-03-03 11:47:09

Von der Leyen (Foto Atsh)

Von der Leyen (Foto Atsh)

Komisioni Europian zhbllokoi fondet e pezulluara të BE-së prej 50 milionë eurosh (54 milionë dollarë) për Agjencinë e OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), raporton “ATSH”.

“Palestinezët e pafajshëm nuk duhet të paguajnë çmimin për krimet e grupit terrorist Hamas”,- deklaroi presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen në një deklaratë, duke njoftuar ndihmën prej 68 milionë euro për organizatat e tjera në rajon.

Komisioni pezulloi fondet për UNRWA-në dhe kërkoi një auditim të pavarur të agjencisë pasi Izraeli akuzoi dhjetëra punonjës të kësaj agjencie për përfshirje në sulmet terroriste të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi.

Bazuar në angazhimet e UNRWA-së për të kryer këtë hetim dhe për të rishikuar masat mbrojtëse për të parandaluar përfshirjen e stafit në aktivitete terroriste, KE-ja vendosi të zhbllokojë fondet. (Irma)