INSTAT: Numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër u ul me rreth 7.4% në vitin 2022
2024-03-03 12:48:13

Varferia (Foto Panorama)

Varferia (Foto Panorama)

Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) ka publikuar rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës 2022, e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material dhe social në familjet shqiptare, përcjell “Panorama”.

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2022, ishte 20.6%, duke pësuar një rënie prej 1.4 pikë përqindje, krahasuar me 2021-shin.

Treguesit e varfërisë në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtarëve në familje dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 lekë që ishte në vitin 2021.

Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë që jetonin nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 622.705 në vitin 2021.

Numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 7.4%.

Shkalla e thelluar e privimit material sipas strategjisë Europa 2020 tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material. Ky tregues është vlerësuar 33.2% në vitin 2022, kundrejt 35.2% vlerësuar në vitin 2021, duke shënuar rënie prej 2 pikë përqindje. Privimi material dhe social i referohet treguesve që tregojnë kushtet materiale që ndikojnë në cilësinë e jetës së familjeve dhe individëve. (Irma)