Zhvillohet në Tiranë edicioni i tretë i “FemFest”, me fokus gruan
2024-03-03 14:09:45

Femfest (Foto Atsh)

Femfest (Foto Atsh)

Më 4-8 mars pritet të zhvillohet në Tiranë edicioni i tretë i “FemFest”, festivali me në fokus gruan, i cili pritet të sjellë shfaqje mbresëlënëse, debate e diskutime.

Pjesë e festivalit do të jenë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare, të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen, shkruan “ATSH”.

Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për 4 bursa studimi për katër studente të Universitetit të Arteve.

I planifikuar të vazhdojë çdo vit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, festivali synon të ringjallë qëllimin fillestar të 8 Marsit, të shënojë arritjet kulturore, politike dhe socio-ekonomike të grave, duke bërë thirrje për arritjen e plotë të të drejtave të tyre.

Ky edicion do të shfaqë 10 shfaqje, si edhe çdo ditë nuk do të mungojnë rubrikat “FemTalk” e panele të cilat do të moderohen nga figura femërore të rëndësishme të jetës publike në vend. (Irma)