Ministrja Manastirliu: Mbi 2 mijë nxënës në programet e inteligjencës artificiale
2024-03-02 16:27:11

Ministrja Manastirliu (Foto Rtsh)

Ministrja Manastirliu (Foto Rtsh)

Mbi 2000 nxënës pritet të përfshihen deri në vitin 2025 në programet e inteligjencës artificiale, deklaroi ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ndërsa vizitoi laboratorin e inteligjencës artificiale në një shkollë të mesme në Tiranë.

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e përfshirjes së inteligjencës artificiale në kurrikulat shkollore, si një mjet për të përgatitur nxënësit për sfidat e ardhshme, shkruan “RTSH”.

“Ju keni fatin dhe dëshirën të jeni pjesë e grupeve të inteligjencës artificiale në shkollat ku ne keni instaluar laboratorët e inteligjencës artificiale dhe keni mundësinë që të thelloni jo vetëm dijet tuaja por edhe të përgatiteni për të ardhmen. Nëpërmjet mbështetjes nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ne kemi instaluar 25 laboratorë të inteligjencës artificiale në 25 shkolla në të gjithë vendin. Shohim se ka një interes në rritje të nxënësve. Janë më shumë se 2000 nxënës që do të përfshihen deri në vitin 2025 në këtë program”, tha Manastirliu.

Implementimi i laboratorëve të inteligjencës artificiale në shkolla është një hap i rëndësishëm drejt përgatitjes së të rinjve për sfidat e së ardhmes. Këta laboratorë ofrojnë një mjedis praktik ku nxënësit mund të eksplorojnë dhe të mësojnë për teknologjitë e inteligjencës artificiale, si dhe të krijojnë projektet e tyre. (Irma)