Shqipëria dhe Azerbajxhani nënshkruan marrëveshjen për heqjen e vizave
2024-03-02 16:43:38

Heqja e vizave me Azerbajxhanin (Foto Atsh)

Heqja e vizave me Azerbajxhanin (Foto Atsh)

Shqipëria dhe Azerbajxhani nënshkruan marrëveshjen për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit, duke hapur mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua nga zv.ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Besart Kadia, dhe homologu i tij azerbajxhanas, Fariz Rzayev, raporton “ATSH”.

Marrëveshja u nënshkrua ndërsa delegacioni i nivelit të lartë shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, zhvilloi një vizitë në Baku, për një sërë takimesh të rëndësishme.

Kryeministri Rama mori pjesë fillimisht si i ftuar nderi i presidentit azerbajxhanas, Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, si dhe për të diskutuar bashkërisht për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë, ku tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri, ashtu si dhe është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës, ndërsa ka nisur investimi për vënien në punë e zgjerimin e kapaciteteve të këtij të fundit. (Irma)