AMF fillon zbatimin e udhërrëfyesit për mbikëqyrjen e sigurimeve
2024-03-02 15:22:36

Amf (Foto Atsh)

Amf (Foto Atsh)

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, në kuadër të Projektit të “Qëndrueshmërisë dhe Zhvillimit Financiar në Shqipëri”, organizoi në Tiranë workshop-in për zbatimin e udhërrëfyesit për regjimin mbikëqyrës në fushën e sigurimeve, njohur si “Solvency II”.

Në këtë aktivitet treditor marrin pjesë rreth 40 pjesëmarrës, nga AMF-ja dhe kompanitë e sigurimit që operojnë në Shqipëri, shkruan “ATSH”.

Ky projekt mbështetet nga Programi global “Financë për Zhvillim” i Bankës Botërore, dhe nga SECO e qeverisë zvicerane.

Workshop-i shënon aktivitetin e parë, në kuadër të zbatimit të udhërrëfyesit për implementimin e regjimit mbikëqyrës në sigurime “Solvency II”, për një periudhë 7-vjeçare, me qëllim që të sigurohet një tranzicionin gradual dhe i qëndrueshëm për shoqëritë e sigurimit.

Drejtoresha e AMF-së, Mimoza Kaçi, e cilësoi këtë aktivitet si një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së efektivitetit të mbikëqyrjes në tregun e sigurimeve. Ajo theksoi se përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet europiane dhe integrimi në BE janë shtyllat kyçe të strategjisë së Autoritetit për zhvillimin afatmesëm të sektorit të sigurimeve. Sipas saj, zbatimi i regjimit “Solvency II” kërkon angazhim të përbashkët dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me kompanitë e sigurimit. (Irma)