Kryeministri Rama në Baku: Korridori Jugor i Gazit e ka bërë Europën më të sigurt
2024-03-02 16:36:13

Rama-Alijev (Foto Rtsh)

Rama-Alijev (Foto Rtsh)

Në Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Korridori Jugor i Gazit e ka bërë Europën më të sigurt.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se kjo rrugë e re e energjisë është shndërruar në urë bashkëpunimi intensiv, duke sjellë më pranë vendet dhe kompanitë, përcjell “RTSH”.

“Korridori jugor i gazit ka ndryshuar shumë jetë dhe ka bërë Evropën më të sigurt. Korridori jugor i gazit do të mbetet një prej burimeve të pakta të qëndrueshme konkurruese të transportimit të gazit që vjen për në BE. Gazi i Azerbajxhanit dhe rajoni kaspik janë thelbësor për të ardhmen e përbashkët”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Rama theksoi se Shqipëria është e pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit TransAdriatik, që është një lidhje jetike në Korridorin Jugor të Gazit.

“Ne synojmë të kapitalizojmë mbi këtë korridor transformues duke orientuar investimet drejt projekteve të energjisë së ripërtëristhshme dhe zhvillimit të infrastrukturës së qëndrueshme. Shqipëria është e mbështetur 100% në energjinë e ripërtërishtme. Duam të diversifikojmë burimet tona të energjisë që mbështetet kryesisht në burimet hidrike”, tha Rama.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, deklaroi se Shqipëria ka luajtur rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit të korridorit jugor të gazit dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm ai anëtar i ekipit të TAP.

“Ne bashkëpunojmë në fusha të ndryshme. Kemi një dialog aktiv politik dhe takimet me kryeministrin Rama kanë një agjendë të rregullt në të dyja vendet. Mbështesim njëri-tjetrin në institucionet ndërkombëtare dhe punojmë për çështjet e sigurisë energjetike. Shqipëria ka luajtur rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit të korridorit jugor të gazit dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm ai anëtar i ekipit të TAP. Po diskutojmë aspekte të ndryshme të bashkëpunimit tonë energjetik”,- tha presidenti axherbajxhanas. (Irma)