Agjencia e Aftësive: 1200 persona u regjistruan për Programin e Kodimit në vitin 2023
2024-03-02 15:46:03

Programi i kodimit (Foto Atsh)

Programi i kodimit (Foto Atsh)

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bëri të ditur se 1200 persona u regjistruan gjatë vitit 2023 për të ndjekur Programin e Kodimit, i cili i ndihmon të rinjtë ta orientojnë karrierën e tyre në profile të sigurta për të ardhmen në tregun e punës, shkruan “ATSH”.

Programi i Kodimit, i njohur ndryshe edhe si Programi i Formimit Profesional, po zbatohet për herë të parë dhe i shërben vizionit afatgjatë që Shqipëria të arrijë potencialin e plotë të digjitalizimit dhe të përgatiten të rinj të aftë, të grupmoshës 16-35 vjeç, që edhe pa përvojë në shkenca kompjuterike, të kalojnë në një karrierë në industrinë teknologjike, me një kosto relativisht të ulët.

Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50% të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100%.

Programi i Kodimit ofron edhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve dhe tregut të punës, pas përfundimit të kursit.

Këtë vit, qeveria shqiptare ka përfshirë në listën e programeve të formimit profesional që mund të përfitojnë mbështetje financiare edhe “Programimin”.

Në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare, janë zbardhur fushat që do të mbështeten financiarisht nga qeveria, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale. Ato zgjasin nga 3-6 muaj. (Irma)