Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kryeministri shqiptar: BE mbështet rajonin për rritjen ekonomike
2024-03-01 14:26:18

Oliver Varhelyi (Foto Rtsh)

U zhvillua në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, shkruan “ATSH”.

“Jemi mbledhur për të thelluar bashkëpunimin si kombe me mendësi të ngjashme që kërkojnë të bashkohen me bashkimin e shteteve evropiane. BE-ja po mbështet vendet e rajonit në rritjen ekonomike dhe integrimin me një plan të ri të rritjes”,- tha Rama.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, Rama u shpreh se për herë të parë të gjithë në Ballkanin Perëndimor bien dakord se BE-ja nuk po bën vetëm punën e zakonshme, por po shkon një hap më tej për t’u afruar me vendet e rajonit, për t’i mbështetur në rritjen ekonomike dhe integrimin në një plan të ri të rritjes.

“Ky është rezultati i dialogut. Ky është rezultat i nxitjes nga ana jonë për t’u dëgjuar, për t’u kuptuar sa i takon vështirësive tona, argumenteve tona dhe ideve tona. Falë këtij shkëmbimi të ndërsjellë pikëpamjesh kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin tradicional të integrimit diçka të re që është mjaft konkrete dhe që mund të na çojë në një nivel tjetër shumë më shpejt. Po bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë të BE-së, duke shkëmbyer pikëpamje për mënyrën se si të mund të rrisim dhe intensifikojmë këtë përpjekje të përbashkët dhe të përmirësojmë shanset për sukses”,- deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Gjatë samitit u nënshkruan katër marrëveshje, për angazhim të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, për zbatimin e planit të ri të hartuar nga BE-ja për nxitjen e integrimit më të shpejtë të vendeve të Rajonit që aspirojnë integrimin në familjen e madhe evropiane. (Irma)