Samiti në Tiranë, Varhelyi e Koopman: Plani i Ri i Rritjes do të dyfishojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në një dekadë
2024-03-01 14:29:53


Në fjalën hapëse të samitin BE-Ballkani Perëndimor mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua në Tiranë, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, deklaroi se Plani i Ri i Rritjes pritet të dyfishojë ekonomive e vendeve të Ballkanit Perëndimorë në 10 vitet e ardhshme.

Sipas tij, ky plan do të funksionojë në rast se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor zbatojnë të gjithë rregullat e BE-së, përcjellin mediet shqiptare.

“Procesi i zgjerimit nuk ka të bëjë me kapitujt e ndryshëm të legjislacionit, por është proces integrimi që do të thotë se ekonomia e Ballkanit Perëndimor të integrohet në BE dhe që edhe BE-ja duhet të ofrojë përfitimet që sjellë anëtarësimi përpara se vendet e Rajonit të bëhen pjesë e Unionit”,- tha Varhelyi.

Sipas tij, ky është një plan ambicioz dhe shprehu besimin se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të arrijnë të marrin më të mirat e tij, i cili ka mundësi të kontribuojë në dyfishimin e ekonomive të vendeve të Rajonit në 10 vitet e ardhshme.

Varhelyi u bëri thirrje institucioneve financiare të BE-së, që përveç 30 miliardë eurove, të jepen edhe 6 miliardë të tjera për vendet e rajonit.

Gert Jan Koopman (Foto Atsh)

Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, (DG Near), Gert Jan Koopman, deklaroi se ka mbetur vetëm një muaj për të përfunduar axhendën e reformave, sepse ligjvënësit do të miratojnë ligjet e duhura deri në fund të prillit.

Koopman tha se cilësia duhet të jetë shumë e lartë, por koha po ecën dhe në katër javët në vijim duhet të ketë një produkt të një cilësie shumë të lartë në mënyrë që fondet të fillojnë të hyjnë në maj dhe përpara pushimeve të verës.

Më tej, Koopman tha se prania e liderëve në samitin e Tiranës tregon se është dëshmi për angazhimin e vendeve përkatëse. Ai theksoi se për të ecur përpara duhet që të ketë një ritëm të shpejtë, i cili të jetë i qëndrueshëm dhe që të udhëhiqet nga lart. (Irma)