SHBA po shqyrton mundësinë të hedhë ndihma nga ajri në Gaza
2024-03-01 14:42:18

Ndihmat amerikane per Gazen (Foto Panorama)

SHBA-ja po shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ushtarakë ndihma në Gaza, pasi dërgesat tokësore po bëhen gjithnjë e më të vështira, deklaroi një zyrtar amerikan, përcjell “Panorama”.

Ofensiva e ushtrisë izraelite ndaj Hamasit në Gaza ka rrafshuar shumicën e enklavës, duke vrarë gati 30.000 persona dhe duke detyruar pothuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset.

Lufta ka shkaktuar krizë humanitare, teksa shumë përballen me urinë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, volumi i ndihmës humanitare që ka hyrë në Gazë në shkurt është përgjysmë më pak sesa në janar.

Të paktën 576.000 persona në Rripin e Gazës, rreth një e katërta e popullsisë, janë në prag të urisë, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA). Sipas saj, grupet e ndihmës po përballen me pengesa të mëdha vetëm për të dërguar minimumin e furnizimeve në Gaza.

OKB shtoi se një në gjashtë fëmijë nën moshën dyvjeçare në veri të Gazës vuan nga kequshqyerja akute dhe praktikisht të gjithë banorët në enklavën palestineze varen nga ndihmat ushqimore për të mbijetuar që janë të pamjaftueshme. (Irma)