Raporti i “Freedom House”: Shqipëria, vend pjesërisht i lirë
2024-03-01 15:55:56

Tirana (Foto Atsh)

Organizata “Freedom House” publikoi raportin vjetor mbi “Lirinë në Botë”, ku bëhet e ditur se Shqipëria mbetet vend pjesërisht i lirë, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve, shkruan “ATSH”.

Në raport, Shqipëria vlerësohet me 68 pikë, duke shënuar përparim me një pikë krahasuar me vjet. Shqipëria po ashtu konsiderohet si vend në tranzicion me sistem hibrid të qeverisjes.

Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, e cilësoi se përmirësim procesin e vetingut, i cili, sipas saj, ka filluar të shënojë përparim duke e detyruar Shqipërinë që ta mënjanojë korrupsionin në fushën e drejtësisë. Sipas saj, kjo do të thotë se në Shqipëri gjykatat tani janë në pozitë më të mirë që t’u shërbejnë qytetarëve dhe janë më efikase.

“Kjo do të thotë se në Shqipëri po përmirësohet dukshëm qasja e qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe ky përparim duhet të vlerësohet”,- shtoi ajo.

Ekspertja Karppi thotë se mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të përbëjnë shqetësim në Shqipëri. Ajo përmendi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, gjatë të cilave, sipas saj, nuk është krijuar një mjedis për zgjedhje më të lira dhe më të drejta.

“Përgjithësisht Shqipëria ka përparuar këtë vit duke u dhënë mundësi qytetarëve që të marrin pjesë në proceset demokratike duke iu përmbajtur angazhimeve për reforma të marra para Bashkimit Evropian”.

Raporti që vlerëson përparimin e 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar te vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si, një situatë të përshkallëzuar gjerësisht.

Në krye të listës së organizatës “Freedom House” renditet Finlanda me 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia me 99 pikë.  (Irma)