Avokati evropian i Popullit kërkon ndryshim të rregullave të BE-së për operacionet në det
2024-03-01 16:07:18

Avokatja e Popullit te BE-se (Foto Rtsh)

Avokati evropian i Popullit i bëri thirrje Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian të krijojnë një komision të pavarur hetimor për të vlerësuar arsyet e numrit të madh të vdekjeve në Mesdhe. 

Pas një hetimi për rolin e Frontex-it në operacionet e kërkim-shpëtimit, Avokati i Popullit vëren se rregullat aktuale të BE-së e bëjnë Agjencinë Kufitare Evropiane të paaftë për të përmbushur plotësisht detyrimet e saj dhe shumë të varur nga shtetet anëtare për të vepruar kur varkat me emigrantë janë në rrezik, shkruan “RTSH”.

Hetimi nisi pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Greqi në qershor 2023, kur nga fundosja e anijes “Adriana” humbën jetën rreth 600 persona. 

Verifikimi nxori në pah mangësitë në mënyrën se si Frontex-i reagon në situatat emergjente detare në të cilat përfshihet. Sipas dokumenteve, Frontex bëri 4 oferta për të ndihmuar autoritetet greke, por nuk mori asnjë përgjigje.

Rregullat aktuale të BE-së nënkuptojnë se Frontex-i nuk lejohej të shkonte në vendndodhjen e mjetit lundrues që ishte në rrezik, pa lejen e autoriteteve greke. Hetimi tregoi gjithashtu se Frontex-i nuk ka udhëzime të brendshme për lëshimin e sinjaleve të alarmit, ndërsa monitoruesit e të drejtave themelore të Agjencisë së BE-së nuk mund të përfshihen mjaftueshëm në vendimmarrjen për emergjencat detare. 

Avokati evropian i Popullit shprehu nevojën për qartësi më të madhe mbi rolin, përgjegjësitë dhe natyrën e bashkëpunimit të Agjencisë Evropiane për Mbrojtjen e Kufirit me autoritetet kombëtare të vendeve ku ndodhin ato emergjenca, duke paralajmëruar se Bashkimi Evropian rrezikon të marrë pjesë në humbjen e jetëve të emigrantëve për shkak të mangësive të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex.

“Ekziston tension i dukshëm midis detyrimeve të të drejtave themelore të Frontex-it dhe detyrës së tij për të mbështetur shtetet anëtare të BE-së në kontrollin e menaxhimit të kufijve”,- deklaroi Avokatja evropiane e Popullit, Emily O'Reilly. (Irma)