Ambasadori i BE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e një Parlamenti funksional në procesin e integrimit në BE
2024-03-01 11:40:24

Ambasadori i BE-se (Foto Atsh)

Projekti “Platforma e shoqërisë civile për negociatat e grupit të parë të kapitujve me BE-në”, i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Shqipëri, mblodhi ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë, përfaqësues të partive politike dhe ekspertë, për të diskutuar mbi rolin e Kuvendit në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, shkruan “ATSH”.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e një parlamenti funksional në procesin e integrimit në BE.

“Në këtë takim u bëmë dëshmitar se si politikanë shqiptarë nga parti të ndryshme politike u angazhuan në diskutime dhe debate lidhur me rolin e Kuvendit në procesin e negociatave me BE-në. Diskutime të ngjashme duhet të nisin me urgjencë në Kuvend, për të rivendosur funksionimin normal të tij. Ky është një nga kushtet themelore që vendet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, deklaroi ambasadori Gonzato.

Ai theksoi se duhet punuar së bashku për të ndihmuar Parlamentin të luajë rolin e tij të plotë në anëtarësimin në BE, si një institucion transparent dhe efektiv në shërbim të qytetarëve shqiptarë. (Irma)