Sejko e Mete: Anëtarësimi në SEPA, mundësi unike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor
2024-03-01 11:38:33

Guvernatori Gent Sejko (Foto Atsh)

Në Tiranë u zhvillua Ministeriali i Ballkanit Perëndimor drejt Sistemit Europian të Pagesave (SEPA), që bëri bashkë ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky ministerial i parapriu Samitit BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Ri të Rritjes së BE-së, shkruan “RTSH”.

Sipas këtij plani, aksesi në SEPA (Single European Payment Area) shikohet si një nga mundësitë që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë përpara finalizimit të procesit të anëtarësimit, me përmbushjen e kushteve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se integrimi ekonomik është parimi bazë i krijimit dhe funksionimit të Bashkimit Evropian.

“Integrimi ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian nis me sistemet dhe shërbimet e pagesave. Falë pjesëmarrjes së vendeve tona në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur ndryshe si SEPA, po vendosim themele të sigurta për përshpejtimin e shkëmbimeve në planin ekonomik, me vendet e rajonit dhe me ato të BE-së. Bashkimi Evropian na ka ofruar mundësinë historike për të hyrë në tregun evropian shumë para ardhjes së momentit final të anëtarësimit të plotë në të, ndaj duhet të përfitojmë maksimalisht nga kjo mundësi. Banka e Shqipërisë e sheh SEPA-n si katalizator për të forcuar integrimin financiar me vendet e BE-së. Pjesëmarrja në SEPA është e rëndësishme në shumë drejtime”,- tha guvernatori Sejko.

Ministri i Financave Ervin Mete, theksoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin.

“Hapja e SEPA-s për anëtarët jo të BE-së, si pjesë e Planit të Ri të Rritjes së Komisionit të BE-së, përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në dhe në të njëjtën kohë mund të konsiderohet si një mjet monitorimi për Bashkimin Europian për identifikimin e gatishmërisë dhe vullnetit tonë për të qenë pjesë e familjes europiane. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me Bashkimin Europian, prandaj është e një rëndësie të madhe për ne që të synojmë krijimin e lidhjeve efikase të pagesave ndërkufitare”,- deklaroi ministri Mete.

Ai theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit në SEPA jep akses në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta.

“Sistemet e pagesave mund të jenë një rrugëdalje për t’i bërë gjashtë ekonomitë tona më gjerësisht digjitale. Rëndësia strategjike e ekonomisë digjitale nuk mund të mbivlerësohet dhe për këtë arsye ajo është bërë prioritet i politikave tona kombëtare”,- tha ministri Mete. (Irma)