Samiti në Tiranë, kryeministri shqiptar: Humbja e Ukrainës do të rrezikonte BE-në
2024-02-29 09:54:25

Foto nga RTSH

Kryeministri Edi Rama ka theksuar vendosmërinë e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën dhe u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj thirrjeje dhe të qëndrojnë krah saj.

Në samitin për Ukrainën që u zhvillua në Tiranë, Rama tha gjatë fjalës hapëse se Ballkani duhet të dalë në krah të Ukrainës, citon “RTSH”.

Sipas kryeministrit Rama, mbështetja e Ukrainës do të thotë ruajtje e rendit botëror dhe të drejtës për liri dhe pavarësi dhe nëse Ukraina do të humbiste do të rrezikohej edhe vetë ekzistenca e BE-së.

“Nuk mund të lejojmë që Ukraina të humbasë, pasi edhe ekzistenca e BE-së do të ishte në rrezik. Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e Ukrainës dhe vendosmërinë për të qëndruar krah saj”,- tha Rama.

Pjesëmarrës në samitin e Tiranës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka propozuar organizimin e një forumi të posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij në samitin “Ukraina-Europa Juglindore”, Zelensky shprehu interesin për bashkëprodhim të municioneve me vendet e Ballkanit dhe aleatët. Zelensky po ashtu ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. (Elona)