Problemet e shikimit te fëmijët, prej shtatorit 615 nxënës me sy dembel dhe strabizëm
2024-02-29 11:02:44

Foto nga VCG

3519 nxënës janë depistuar mbi shikimin dhe 615 prej tyre janë referuar më pas te mjeku specialist për problemet e hasura.

Programi për kujdesin e shikimit përfshin fëmijët e grupmoshës nga 6 deri në 14 vjeç dhe, sipas mjekes okuliste Eva Koça, nga rastet e referuara, dy janë problematikat kryesore: syri dembel dhe syri i devijuar, që në gjuhën mjekësore njihet si strabizëm.

“Këto patologji duhen trajtuar dhe kapur sa më herët”,- tha mjekja okuliste.

Nisur nga problemet e hasura te fëmijët, mjekja këshillon prindërit që të shmangin sa më tepër përdorimin e smartfonëve, bën të ditur “RTSH”.

“Mirë është që deri në moshën 10-vjeçare fëmijët mos ta kapin celularin ose mjete të tjera të telekomunikacionit. I udhëzojmë fëmijët të punojnë me orare të kufizuara, gjithmonë ditën dhe mos të përdorin dritën e natës. Kryesor është edhe ushqimi, pasi kemi vënë re pacientë të cilët nuk ushqehen rregullisht ose në mënyrë cilësore ose nuk përdorin fruta dhe perime dhe kanë defekte të refraksionit”,- tregon dr. Koça.

Programi për kujdesin e shikimit për fëmijët zbatohet tashmë prej tre vitesh. Në këtë proces janë të angazhuar 12 mjekë që kryejnë depistimin e fëmijëve në shkollat 9-vjeçare.  (Elona)