Kryediplomati Hasani: Shqipëria do të hapë ambasadë në Kiev
2024-02-29 10:37:14

Foto nga RTSH

Në muajt në vijim pritet që të inaugurohet Ambasada shqiptare në Kiev. Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në konferencën e përbashkët të mbajtur me homologun ukrainas Dmitro Kuleba, ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, duke dënuar agresionin rus, citon “RTSH”.

Thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, rritja e bashkëpunimit në fushën ekonomike, kanë qenë disa nga temat e diskutuara në takimin e mbajtur mes dy ministrave.

“Jemi në fazë përgatitjesh teknike për hapjen e Ambasadës shqiptare në Kiev. Shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në pak muaj. Kemi folur për ndihmën që Shqipëria mund të ofrojë për rindërtimin e Ukrainës. Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Jemi të lumtur për avancimin e Ukrainës në rrugën pro europiane. Jemi të gatshëm të ofrojmë përvojën tonë të deritanishme në këtë proces”,- tha Hasani.

Nga ana e tij, ministri Kuleba, pasi falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e dhënë për vendin e tij, kërkoi shtim të përpjekjeve për dënimin e agresionit të Rusisë.

“Ramë dakord të vazhdojmë të bashkërendojmë ngushtë për integrimin europian. Vendi juaj meriton shumë”, - theksoi kryediplomati ukrainas. (Elona)