Nga bursat për nxënësit, te ndihma ekonomike, këshilli bashkiak i Tiranës miraton disa vendime të rëndësishme
2024-02-28 10:02:40

Foto nga ATSH

Miratimi i familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike deri në 6%, bursa për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe emërtimi i disa prej rrugëve në kryeqytet ishin disa nga vendimet që u morën në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, renditi vendimet e rëndësishme të marra sot në këshillin bashkiak, citon “ATSH”.

“Njësitë administrative kanë përcjellë pranë Drejtorisë së Mbrojtjes e Përfshirjes Sociale propozimet për 277 familje për t’u trajtuar në muajin janar 2024 dhe nga këto 110 familje do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor, ndërsa 167 familje nga fondi i kushtëzuar 6%. Strukturat përgjegjëse propozojnë të trajtohen familjet që kanë në përbërje të tyre më shumë se 4 anëtarë në nevojë, familje rome dhe egjiptiane, vajza nëna, gra në nevojë, gra kryefamiljare, të divorcuara, të veja me fëmijë në ngarkim, familje me dy anëtarë dhe në vështirësi për t’u pranuar në tregun e punës”,- tha Seferi.

Ndërsa me qëllim shfrytëzimin e të gjithë numrit të bursave të miratuara për nxënësit e arsimit profesional në shkollat publike të bashkisë Tiranë, janë shqyrtuar dhe vlerësuar me dokumentacion të rregullt për të kaluar sipas kritereve të VKM-së 666 dhe për të përfituar bursa edhe disa nxënës të arsimit profesional publik për vitin shkollor 2023-2024.

“Gjithashtu, pranë bashkisë Tiranë janë depozituar disa kërkesa lidhur me propozimet për emërtimin e disa rrugëve në kryeqytet, si: Gjergj Thaka, Rrapo Ormënaj, Ismail Karapici, Marsel Skëndaj dhe Ali Noka, sipas fragmenteve të hartave të propozuara”,- tha Seferi. (Elona)