100 milionë dollarë për urat në Shqipëri - Ura e Viroit, pjesë e financimit të Bankës Botërore
2024-02-28 16:54:53

Foto nga RTSH

Ura e Viroit është një ndër disa urat që do t'i nënshtrohen projektit të rehabilitimit apo rindërtimit që financohet nga Banka Botërore dhe zbatohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Brenda këtij viti pritet që të zbatohet projekti për ndërtimin e urës, e cila do t’i jepte zgjidhje një sërë problematikave, bën të ditur “RTSH”.

“Kjo rrugë në segmentin e Viroit shërben edhe si digë për liqenin. Kur kemi shira intensive, kemi përmbytje të rrugës, që arrin deri në bllokimin e saj. Problemi i tretë është aksesi i këmbësorëve, i cili në këtë segment është i pamundur. Projekti është në fazën e prokurorimit”,- shpjegon inxhinieri Aristotel Noni.

Zyrtari i ARRSH-së bën të ditur se çfarë parashikon ky projekt.

“Do të ndërtohet një rrugë e re, devijim i rrugës ekzistuese, e cila do të ketë një gjerësi të përgjithshme prej 9 metrash. Pjesë e karrexhatës do të jenë 7 metra të asfaltuara. Rruga do mbingrihet nga ekzistuesja rreth 1,5 metër. Do ndërtohet një urë e re me hapësirë 32 metra, ndërsa rruga ekzistuese do të kthehet në pedonale”,-  tha Noni.

Banka Botërore ka vënë në dispozicion 100 milionë dollarë për një projekt të dedikuar për rehabilitimin dhe ndërtimin e urave në të gjithë Shqipërinë, ku bën pjesë edhe ura e Viroit. (Elona)