Presidenti amerikan: Të hënën e ardhshme shpresohet të ketë një armëpushim në Gaza
2024-02-28 15:26:20

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti amerikan, Joe Biden, shpreson se deri të hënën e 4 marsit pritet të ketë një armëpushim në konfliktin Izrael-Hamas.

“Këshilltari im për sigurinë kombëtare më thotë se jemi afër. Jemi afër, nuk ka përfunduar ende. Dhe shpresa ime është që të hënën e ardhshme do të kemi një armëpushim”, tha presidenti Biden, shkruan “RTSH”.

Hamasi ka hequr dorë nga disa kërkesa kyçe në negociatat për një marrëveshje pengjesh dhe pauzë në luftimet në Gaza.

“Pengesat kryesore janë zgjidhur në aspektin e insistimit të Hamasit për tërheqjen e plotë të forcave izraelite dhe përfundimin e luftës. Kërkesat e Hamasit për numrin e palestinezëve të burgosur që duhet të lirohen kanë rënë”, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden pas takimit të fundjavës në Paris midis shefave të Inteligjencës së SHBA-së, Egjiptit dhe Izraelit dhe kryeministrit të Katarit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Faza e parë e marrëveshjes do të ishte lirimi i pengjeve izraelite, përfshirë gra, fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë, në këmbim të një numri më të vogël të burgosurish palestinezë sesa kishte kërkuar fillimisht Hamasi.

Faza e dytë është ajo ku diskutimet pritet të ndërlikohen më shumë, pasi do të diskutohen çështje komplekse si lirimi i pengjeve meshkuj të IDF-së nga Hamasi dhe fundi i luftës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Udhëheqësit izraelitë e kanë bërë të qartë se synojnë të nisin një ofensivë ushtarake në Rafah, ndërsa në një propozim të mëparshëm Hamasi bëri të ditur se duan të përdorin një fazë të dytë për të diskutuar kërkesat e nevojshme për vazhdimin e ndërprerjes së ndërsjellë të operacioneve ushtarake.(Elona)