I dërguari kinez i nxit vendet të parandalojnë katastrofën e mëtejshme humanitare në Gazë
2024-02-28 20:47:13

Njerëz ndër rrënoja pas një sulmi ajror izraelit në qytetin jugor të Gazës Rafah, 27 shkurt 2024. / Xinhua 

Një i dërguar kinez i kërkoi të martën bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime për të shmangur një krizë më të rëndë humanitare në Gazë.

"Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë veprime për të mbrojtur civilët e për të shpëtuar jetët dhe të bëjë çdo përpjekje për të parandaluar një fatkeqësi edhe më të madhe humanitare," tha të martën i ngarkuari me punë i misionit të përhershëm të Kinës në Kombet e Bashkuara Dai Bing në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi rreziqet e sigurisë ushqimore në Gazë. 

foto nga CFP

I ngarkuari me punë i misionit të përhershëm të Kinës në Kombet e Bashkuara Dai Bing / foto nga CFP

Dai theksoi se Gaza është e zhytur në një katastrofë të pashoqe humanitare që nga shpërthimi i konfliktit më shumë se katër muaj më parë, me gati 30 000 civilë që kanë humbur jetën. 

Sipas tij, ato që kanë ndodhur në Gazë përbëjnë një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar e të ligjit humanitar ndërkombëtar dhe shkojnë përtej vijës fundore të moralit e të ndërgjegjes njerëzore.

"Ne i bëjmë thirrje Izraelit të përmbushë me seriozitet detyrimet e tij si forcë pushtuese sipas Konventës së Gjenevës, të bashkëpunojë plotësisht në zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, të hapë të gjitha rrugët e hyrjes tokësore, detare dhe ajrore e të sigurojë hyrjen e sigurt, të shpejtë dhe të papenguar të furnizimeve humanitare," u shpreh Dai. 

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të mbështesë UNRWA-n dhe agjencitë e tjera humanitare në punën e tyre. 

I dërguari kinez theksoi po ashtu se një ndalim i menjëhershëm zjarri është i nevojshëm për të mbrojtur civilët, për të dhënë ndihmë dhe për të zbutur katastrofën humanitare. (Artan)