Ministrja Koçiu: Mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara, prioritet i qeverisë
2024-02-28 10:16:46

Foto nga ATSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, iu drejtua me një videomesazh Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, që u mbajt në Gjenevë.

“Në panelin mbi Praktikat e Mira të Sistemeve Mbështetëse, që mundësojnë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në komunitet, theksova angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen dhe garantimin e zbatimit të të drejtave të kësaj kategorie në Shqipëri, si dhe rritjen e përfshirjes së tyre në shoqëri, një prioritet i qeverisë shqiptare në përputhje me zbatimin e objektivave tona të agjendës 2030”,- shkroi ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale, citon “ATSH”.

Ajo u shpreh se një tjetër rezultat i jashtëzakonshëm ka qenë zgjerimi i hartës së shërbimeve sociale, përmes rritjes së mbështetjes financiare nga mbështetja e fondit social për institucionet e pushtetit vendor.

Shqipëria merr pjesë në këtë organizëm të rëndësishëm të OKB-së si vend anëtar me një mandat 3-vjeçar. Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së, që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut. (Elona)