I dërguari i posaçëm kinez do të kryejë raundin e dytë të diplomacisë së "vajtje-ardhjes" për krizën e Ukrainës
2024-02-28 20:41:22

foto nga CMG

Përfaqësuesi i Posaçëm i Qeverisë Kineze për Çështjet Euraziatike Li Hui / foto nga CMG

Duke filluar nga 2 marsi, Përfaqësuesi i Posaçëm i Qeverisë Kineze për Çështjet Euraziatike Li Hui do të vizitojë Rusinë, selinë e BE-së, Poloninë, Ukrainën, Gjermaninë dhe Francën për raundin e dytë të diplomacisë ndërmjetësuese të "vajtje-ardhjes", për të gjetur një zgjidhje politike të krizës së Ukrainës, njoftoi të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.

Kriza e Ukrainës ka ardhur duke u përshkallëzuar përgjatë dy vjetëve dhe luftimet vazhdojnë, u shpreh zëdhënësja, duke shtuar se, sa më shpejt të fillojnë bisedimet e paqes, aq më shumë do të pakësohen humbjet.

Mao Ning theksoi më tej se gjatë këtyre dy vjetëve të fundit Kina kurrë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet e saj për arritjen e paqes dhe kurrë nuk ka reshtur nxitjen e bisedimeve. Kina mban një komunikim të thellë me vendet përkatëse, duke përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, duke luajtur një rol konstruktiv në reagimin ndaj krizës. Pala kineze ka publikuar gjithashtu një dokument të titulluar "Pozicioni i Kinës mbi zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës" dhe ka dërguar përfaqësues të posaçëm për të ndërmjetësuar. 

"Pala kineze nuk ka qëndruar duarkryq, nuk i ka hedhur benzinë zjarrit dhe as nuk ka përfituar nga kriza. Gjithçka që kemi bërë ka pasur vetëm një qëllim, që është krijimi i konsensusit dhe çelja e rrugës për bisedimet e paqes. Ne do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë të veçantë, do të kryejmë diplomacinë e 'vajtje-ardhjes', do të përqendrojmë konsensusin e të gjitha palëve dhe do të kontribuojmë me mençurinë kineze për zgjidhjen politike të krizës ukrainase," tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning. (Artan)