BERZH: Ballkanit Perëndimor do t’i duhen dekada për të arritur standardet e jetesës së BE-së
2024-02-28 10:25:26

(Foto nga Panorama)

Do të duhen dekada të tëra që Shqipëria dhe vendet e tjera simotra në Ballkanin Perëndimor të arrijnë standardet e jetesës si në Bashkimin Europian. Në këtë konkluzion ka arritur Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, të cilin e artikuloi presidentja Odile Renaud-Basso gjatë Samitit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, të mbajtur në Londër me praninë e krerëve të qeverive nga 6 vendet e rajonit.

Gjatë hapjes së samitit, Renaud-Basso theksoi se edhe pse rajoni ka bërë një progres të konsiderueshëm gjatë dekadës së fundit, ende ekziston një hendek i ndjeshëm midis rajonit dhe Bashkimit Europian, citon “Panorama”.

“Sipas një studimi të ri të BERZH-së mbi konvergjencën me standardet jetësore të BE-së, ka mundësi që duhen mes 40 dhe 70 vjet, ose edhe më shumë, për të mbyllur këtë hendek. Ky zbulim nxit në mënyrë kritike nevojën për të kombinuar fondet publike me kapitalin privat për të shpejtuar konvergjencën. Kështu, BERZH-i ka bashkëpunuar me institucione financiare ndërkombëtare dhe Komisionin Europian për të gjetur mënyra për të përfshirë kapitalin privat në projektet kryesore të infrastrukturës rajonale, përmes PPP-ve ose tërheqjes së investimeve private në sektorin e energjisë”,- deklaroi Renaud-Basso.

Ajo theksoi se është koha për të njohur forcat dhe potencialin e vërtetë ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ajo shprehu gatishmërinë e BERZH-it për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin Europian dhe qeveritë e rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke e parë si një mundësi për të sjellë investime dhe reforma të nevojshme. (Elona)