Balla: Kërkohet më shumë bashkëpunim për rritjen e sigurisë në shkolla
2024-02-28 10:31:54

Foto nga ATSH

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka pranuar se paketa e sigurisë në shkolla ka dhënë rezultate shumë të mira, por niveli i sigurisë duhet të ngrihet. Në një aktivitet për strategjinë kombëtare të rinisë, Balla tha se rritja e sigurisë kombëtare vjen përmes krijimit të aleancës kundër lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit te të rinjtë, citon “ATSH”.

“Kanë kaluar më pak se gjashtë muaj nga momenti kur e prezantuam paketën dhe kjo është si çdo betejë tjetër, ajo mund të fitohet nëse kemi më shumë bashkëpunim dhe jemi të gjithë së bashku. Jo të gjithë bashkëpunojnë për të informuar Policinë e Shtetit, për të informuar oficerin e sigurisë në shkollë për personat që përfshihen në fenomenet negative dhe s’flasim vetëm për shpërndarjen e lëndës narkotike. Ajo është një nga fenomenet që kërkon forcë goditëse më të madhe nga ana jonë, edhe pse rezultatet janë të mira”,- theksoi ministri Balla, duke u bërë thirrje të rinjve të marrin pjesë në diskutime për një qasje të re ligjore për sigurinë digjitale.

“Na mjaftuan disa episode tragjike për t’u zgjuar të gjithë dhe për të kërkuar, drejtuar gishtin dhe kërkuar përgjegjësi, edhe pse s’duhet të harrojmë se çfarë kemi bërë ne për të adresuar, për të njoftuar organet ligjzbatuese. Në rrjetet sociale, në një pjesë të madhe prej tyre, ka sot një gjuhë të papranueshme dhe ka shumë raste të cilat frymëzojnë dhunën, përdorimin e lëndëve narkotike, bullizimin, madje përdoren rrjetet sociale për një formë të ndryshme të krimeve online”, - u shpreh ministri Balla, duke kërkuar që e gjithë shoqëria të solidarizohet dhe të raportojë rastet e dhunës online. (Elona)